VIDEO/ Debutim me fat për Abibin në Itali, ultrasit e skuadrës e presin portierin me flamur shqiptar

Pak ditë më parë, Alesio Abibi u largua nga Tirana, duke firmosur në kampionatin italian dhe u bë pjesë e Avelinos. Portieri shqiptar, ka arritur të debutojë ditën e djeshme duke qenë se është kompletuar dokumentacioni i nevojshëm, si edhe ka rezultuar me fat për skuadrën e tij.

Avelino ka mundur me rezultatin 1-0 skuadrën e Barit në Kupën e Italisë për Serinë C, duke e mbajtur kështu portën të paprekur në ndeshjen e parë të tij. Di Paolantonio ka arritur të realizojë golin e parë për Avelinon në minutën e 53, gol ky që ka mjaftuar për t’i dhënë fitoren minimale.

Sakaq në fund të takimit skuadra është drejtuar te pjesa e ultrasve, aty ku valëvitej edhe një flamur shqiptar. Natyrisht, miq të Abibit apo edhe tifozë kanë qenë të pranishëm në tribunë duke qenë se te Avelino nuk ka shqiptarë të tjerë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/