VIDEO/ Çekiçi nuk di të ndalet, jep një tjetër asist dhe sinjal për Rejën

Endri Çekiçi po kalon momentin e tij më të mirë në karrierë, një moment në të cilin po shënon dhe asiston në mënyrë të vazhdueshme. Sulmuesi pogradecar, ka qenë edhe mbrëmjen e sotme protagonist në barazimin që skuadra e tij mori ndaj Murës me rezultatin 1-1.

Në minutën e 66, kur rezultati ishte 0-1 për kundërshtarin, Tomiç ka fituar një top në zonë, top që ka shkuar te Çekiçi. Ky i fundit është gjendur i vetëm përballë portierit, por ka preferuar që të asistojë sërish te Tomiç që nuk e ka pasur të vështirë të realizojë.

Në 5 ndeshje të luajtura në këtë sezon, Çekiçi ka arritur të shënojë 2 gola dhe të japë dy asiste, ndërkohë që ka gjetur rrugën e rrjetës edhe në Ligën e Europës. Me paraqitjet e bëra në Europë dhe kampionat, Çekiçi vazhdon të jetë në pritje të ftesës për të qenë i grumbulluar nga ekipi kombëtar për ndeshjet e shtatorit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/