Uesli Shnajder nënshkruan te Utreht dhe i jep lamtumirën futbollit të luajtur

Pas Arjen Roben, një tjetër emër i njohur i futbollit holandez, Uesli Shnajder, i ka dhënë lamtumirën futbollit të luajtur, duke konfirmuar zyrtarisht atë që pritej prej muajsh pasi ai nuk zbriste në fushën e lojës që nga dhjetori i vitit të kaluar. Shnajder e ka bërë gjithçka publike… duke iu bashkuar klubit të Utreht në vendlindje.

“I kam dhënë fund futbollit të luajtur. Tani unë dua një vend të qetë ku të qëndroj dhe të tregoj kujtimet e mia. Ndaj do të vendosem me zyrë këtu”, tha ai për televizionin e klubit të Utrehet, me të cilin ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi.

Utrehti është qyteti i tij i lindjes dhe ironikisht një klub ku ai nuk ka luajtur kurrë futboll. Por ish-mesfushori holandez  nga tani e tutje do të japë një kontribut ndryshe për këtë klub, pasi do të jetë pjesë e bordit drejtues të klubit duke iu bashkuar FC Utrecht Business Club që e administron dhe do të ketë edhe zyrën e tij personale me pamje nga fusha për të ndjekur ndeshjet e skuadrës. Pritet që ai të ndihmojë skuadrën në fushën e marketingut, por edhe në skautimin e lojtarëve falë eksperiencës së madhe që ka krijuar në vite. /vipsport.al/