UEFA / Koeficientet e klubeve shqiptare për vitin e ardhshëm, tre ekipe në rritje (FOTO)

Skuadrat shqiptare në Europë në këtë vit kanë dalë nga garat europiane që në turin e dytë, si në Ligën e Kampioneve, ashtu edhe në Ligën e Europës, pa lënë shumë shenjë. Ndaj ashtu siç është e pritshme, koeficienti i tyre ndërkombëtar nuk ka pësuar një rritje të ndjeshme sipas përllogaritjeve të bëra nga Vip Sport.

Gjithsesi, ka pasur një rritje minimale të koeficientit ndërkombëtar nga ai në të cilin kanë nisur sezonin aktual, te koeficienti që do të kenë në sezonin e ardhshëm për tre klube. Rritjen më të ndjeshme e ka Partizani, i cili falë zhvillimit të Ligës së Kampioneve dhe pastaj kalimit automatikisht në Ligën e Europës, ka rritur me 1.500 koeficientin e tij, duke kaluar nga 3.000 në 4.500 për edicionin  ardhshëm. Në Ligën e Kampioneve, një koeficient i tillë me siguri do ta pozicionojë edhe vitin e ardhshëm në vazon e dytë, ndërsa në Ligën e Europës ka shanse që në shortin e turit të parë të jetë në vazon e parë.

Kukësi ka pësuar një rritje prej 0.750, nga 4.750 në 5.500 për edicionin e ardhshëm dhe që bën pak më optimiste situatën e skuadrës verilindore pasi një koeficient i tillë në edicionin aktual ka siguruar praninë në vazon  e parë edhe në shortin e turit të parë të Ligës së Kampioneve (AIK i Suedisë).

Rritje me 0.500 ka pësuar edhe Laçi, i cili ka arritur të përmirësoje koeficientin e tij në 2.750, edhe pse do të vazhdojë të mbetet në vazon e skuadrave të dobëta në edicionin e ardhshëm nëse kualifikohet në Europë.

Sa u përket skuadrave të tjera të Superiores, asnjë prej tyre nuk ka më koeficient personal, pasi e ka më të ulët se ai kombëtar që rezulton të jetë 1.325 dhe me të cilin do të përfaqësohen në sezonin e ardhshëm, kushdo që të kualifikohet në arenën ndërkombëtare.

Sigurisht, është edhe Skënderbeu, koeficienti i të cilit fatkeqësisht bie nga çdo vit mospjesëmarrje në Europë. Koeficienti i korçarëve të dënuar nga UEFA është në edicionin e ardhshëm 6.000, më i lartë se ai i Kukësit dhe Partizanit. Në edicionin aktual, në toeri ata duhej të hynin në garë me koeficientin 7.000.

Shkëndija e Tetovës është ajo që ka një koeficient më të lartë se të gjithë ekipet shqiptare, 7.250 dhe duket se ka të garantuar vazon e parë në short në Ligën e Kampioneve apo Ligën e Europës. Kurse në Kosove, Prishtina ka koeficientin më të lartë vitin e ardhshëm, 1.750, me Feronikelin dhe Dritën që e ndjekin me 1.500. /vipsport.al/