U mposht nga ekipi që interesohet për të, Memushaj: Di shumë pak, ose thuajse asgjë

Ditën e djeshme ka startuar edhe Serie B, teksa në fushë ishte Ledian Memushaj me skuadrën e Peskarës. Për mesfushorin së bashku me ekipin e tij ishte një nisje e hidhur teksa pësuan një disfatë me shifrat 3-1 në transfertë ndaj Salernitanës.

Pas ndeshjes, vlonjati ka komentuar rreth zërave të merkatos të cilat e shohin pikërisht pranë Salernitanës, por Memushaj u shpreh se di shumë pak, ndërsa për ndeshjen theksoi se e prisnin një takim të vështirë. “ U treguam të zotët në pjesën e dytë duke bërë presion lartë, teksa gjetëm edhe golin e barazimit. Por më pas sërish u tërhoqëm shumë. E dinim që kundër Salernitanës do të ishte një ndeshje e vështirë, ata luanin në shtëpi. Duhet të përmirësohemi shumë në fazën ofensive.

Nuk duhet të mendojmë për mungesat, grupi ka shumë lojtarë të vlefshëm. Duhet të shohim përpara, ta lejmë mënjanë këtë disfatë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës. Zërat e merkatos? Di shumë pak rreth tyre, ose thuajse asgjë. Kam lexuar vetëm ato që janë shkruar”, përfundoi Memushaj.

/Egi Çabeli-VipSport.al/