Transferimi i Balotelit në Itali: Nuk kam frikë dështimi, nëna ime nisi të qante

Mario Baloteli ka vendosur të rikthehet në Itali pas një aventure të gjatë në Europë si në Angli, ashtu edhe në Francë. Sulmuesi italian ka vendosur ta nisë gjithçka nga fillimi duke firmosur me një skuadër modeste siç është Breshia, por njëkohësisht skuadër me rëndësi për sulmuesin italian.

Breshia është qyteti i tij i lindjes dhe firma me skuadrën e sapongjitur në Serinë A, nuk është një rastësi. Në konferencën e prezantimit të tij, Baloteli u shpreh se nuk ka frikë se mos dështon, duke shtuar se edhe nëna e tij nisi të qante kur i tregoi. Ai zgjodhi fanellën me numrin 45, numër të cilin ka mbajtur edhe në skuadrat e tjera ku ka luajtur.

“Kur i tregova nënës sime se kam vendosur të luaj për Breshian, menjëherë nisi të qante. U gëzua shumë që erdha në një ekip të tillë. Unë personalisht nuk kam frikë se mos dështoj. Ndihem i qetë dhe i bindur se do të jap më të mirën time”, u shpreh Baloteli. /Erjon Allaraj-VipSport.al/