Tirana vonon dokumentet, Abibi nuk mund të debutojë në Itali

Shtyhet debutimi i Alesio Abibit me fanellën e Avelinos në futbollin italian. Portieri i cili u largua nga bardheblutë e Tiranës pak muaj më parë, është në pritje të një dokumentacioni që po vonon e për këtë arsye, nuk do të mund të jetë mes shtyllave në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit për ekipin e tij.

Avelino, ku ai firmosi vetëm një javë më parë, luan nesër kundër Paganezes ndeshjen e vet në Kupën e Italisë të Serisë C. Pritej që portieri shqiptar të ishte titullar në këtë ndeshje që të fillonte të ndihmonte skuadrën duke treguar vlerat e tij. Por kartoni i transferimit të futbollistit po vonon. Si rrjedhojë, klubi nuk ka arritur ta regjistrojë në kohë për ndeshjen dhe nuk mund ta aktivizojë në këtë duel.

Parashikohet që ky ngërç të zgjidhet brenda ditëve të ardhshme në mënyrë që në ndeshjen e radhës, Abibi të jetë i gatshëm e të japë kontributin e tij për Avelinon. /vipsport.al/