Teuta fiton në miqësore, skuadra e Shkëmbit gjen golat që i munguan në Europë

Skuadra e Teutës ka fituar sot ndeshjen e parë të pjesës së dytë të fazës përgatitore, atë për sezonin e ri futbollistik. Ekipi i drejtuar nga Bledi Shkëmbi, i riformatuar pas Europës, ka mundur me shifrat 4-2 ekipin e Tërbunit në një ndeshje ku u provua rreshtimi i ri pas ndryshimit të shumë lojtarëve në javët e fundit.

Durrsakët e nisën ndeshjen me një formacion ku kishte vend që nga minuta e parë Arbër Çyrbjen, i afruar pak ditë më parë nga radhët e Kukësit dhe ishte pikërisht mesfushori ai që gjeti rrugën e rrjetës për të kaluar në avantazh skuadrën në minutën e 15. Megjithatë, pukjanët barazuan shifrat dhe bënë që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 1-1.

Në pjesën e dytë, pavarësisht ndryshimeve të shumta në rreshtim, Teuta gjeti rrjetën edhe 3 herë të tjera me anë të Beqjes, Nikaç dhe Vilës, ndërsa edhe Tërbuni shënoi një herë në portën e Çeleskit për të mbyllur sfidën me rezultatin 4-2. /vipsport.al/