Teqja: Na duhen vetëm përforcime të mirëmenduara, kam eksperiencën për të drejtuar mbrojtjen

Nga Mavrova, aty ku Kukësi nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro po i jep dorën e fundit përgatitjeve para se të zbresin fillimisht në fushë për Superkupën ndaj Partizanit, e më pas për startin e Kategorisë Superiore, mbrojtësi Olsi Teqja është shprehur se skuadrës i nevojiten vetëm përforcime të mirëmenduara pasi nuk duhet fryrë grupi, ndërsa shtoi se tashmë e ka eksperiencën për të drejtuar repartin mbrojtjes.

Faza përgatitore dhe merkato? “Kushtet janë shumë të mira, temperaturat janë normale. Nuk është i nxehti që është në Shqipëri, po punojmë me seriozitet edhe presim si në repartin e mbrojtjes që të kemi plotësime. Ato i dinë drejtuesit që kanë bërë analizën e duhur ku çalon ekipi, shpresojmë që të kemi përforcime shumë të mira dhe të kemi një ekip konkurrues për sezonin e ri.
Roli në skuadër? Me thënë të drejtën tani e kam eksperiencën e duhur për ta drejtuar repartin mbrojtjes. Është përgjegjësi e madhe pasi edhe ato që kanë qenë para meje kanë bërë shumë mirë, kanë fituar trofe. Janë për t’u përshëndetur. Edhe unë e fillova mbarë me Kukësin, në 6 muaj morën një trofe, Kupën e Shqipërisë. Shpresoj që të marrim edhe Superkupën.
Objektivat? Pretendimet janë shumë të mëdha, ekipi i Kukësit çdo vit futet me pretendime të mëdha. Nuk duhet të shohim kundërshtarët, diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Siç e thashë edhe në fillim, sh[presoj të bëjmë përforcimet e duhura. Nuk na duhet një fryrje shumë, na duhen vetëm përforcimet e duhura dhe të mirëmenduara. Dhe me këtë pastaj e kemi rrugën e hapur drejt sukseseve të mëdha”, tha Teqja.