Telushi: Do luftojmë sërish për kampionatin, por këtë sezon do të jetë më e vështirë

Mesfushori i Partizanit Bruno Telushi pas triumfit në finalen e Superkupës për VipSport është shprehur se i lumtur për suksesin ndaj Kukësit. Futbollisti ndër të tjera thekson se ndryshimet në skuadër janë në funksion të përmirësimit të ekipit, ndërsa shton se këtë sezon titulli do të jetë më i vështirë për t’u arritur.

Tofeu i dytë më Partizanin: “Është një kënaqësi, sa më shumë trofe të fitosh aq më mirë ndjehesh si skuadër por edhe unë si individ jam shumë i kënaqur dhe kjo të bën të shikosh përpara me kokën lart. Pavarësisht se Superkupa këtu në Shqipëri shikohet si jo serioze, por ne e vlerësuam maksimalisht dhe ia arritëm ta merrnim”.

Ecuria e suksesshme me Partizanin: “Të them të drejtën e kisha menduara se erdha në një ekip të madh me tifozeri të madhe, e mendoja diçka të tillë. Kemi bërë disa ndryshime, por këto janë bërë për të përforcuar skuadrën më shumë dhe për të vazhduar përsëri për të luajtur për kampionat përsëri”.

Pretendentë për titullin kampion: “ E dimë që ky sezon do të jetë më i vështirë, por shpresoj që edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur të ambientohen sa më shpejt pasi janë me një ritëm mbrapa. Bëmë një pjesë të parë të mirë, patëm raste por nuk shënuam. Në pjesën e dytë patëm një ngërç psikologjik, por me golin që shënuam në fund na dha shumë moral dhe në minutat shtesë u rritëm edhe nga gjendja fizike”, u shpreh Telushi.