Teknologjia mund të marrë më shumë protagonizëm, në fushë do jetë vetëm një gjyqtar

Teknologjia në futboll po përparon me hapa të mëdha teksa fillimisht u aplikua ‘Goal Line Technology’, e cila i tregon gjyqtarit nëse topi ka kaluar vijën fatale të portës. Kështu, arbitri merr sinjalizimin te ora në dorë dhe në këtë formë mbyllen polemikat nëse ishte gol apo jo. Ndërkohë, sistemi VAR ishte një risi tjetër teknologjike në botën e futbollit.

Sistemi i cili ndërhyn dhe mundëson rishikimin e aksionit nga gjyqtari, tashmë po aplikohet në masë dhe po shpërndahet në shumicën e kampionateve. Pikërisht, VAR mund të revolucionarizojë edhe më tej futbollin. Së fundmi, FIFA ka nisur provat për të shmangur gjyqtarët anësore, pasi kjo është një detyrë e cila mund të perfeksionohet nga teknologjia.

Në fakt, edhe në këto momente gjyqtari anësor ka pësuar një rënie të kompetencave pasi sido që të jetë vendimi i tij, nëse një moment është i dyshimtë atëherë rishikohet me VAR dhe vendimi ndryshon.  Ndërkohë, teknologjia nuk do ta kishte aspak të vështirë të përcaktonte edhe rivëniet anësore, të cilat gjithashtu janë detyrë e gjyqtarëve anësorë. Ndoshta, në një të ardhme në fushën e lojës mund të zbresë në fushë vetëm një arbitër, ai kryesori.

/Egi Çabeli-VipSport.al/