Të tjerëve u bllokoi merkaton, FIFA fal Mançester Sitin për transferimin e të miturve

Një vendim i çuditshëm pritet të dalë nga zyrat e FIFA-s, pasi Mançester Siti do t’ia hedhë pa u lagur edhe pse ka thyer rregulloret ndërkombëtare për transferimin e të miturve. Klube si Barcelona, Real Madrid, Atletiko dhe Çelsi e kanë vuajtur një gjë të tillë në kurriz duke parë merkaton t’i mbyllet për një apo më shumë dritare.

Por Mançester Siti me sa duket është ndryshe dhe mediat angleze kanë zbuluar se kampionët e Anglisë do të falën nga FIFA, e cila ka vendosur që për ta të ketë vetëm një gjobë.

Për më tepër, nuk pritet të jetë një gjobë e rëndë, por vetëm rreth 340 mijë euro, një shifër qesharake po të llogarisësh fuqinë ekonomike që ka Mançester Siti. Sipas mediave angleze, kjo nuk përjashton mundësinë që për të njëjtën shkelje, UEFA të japë një vendim të veçantë, por askush nuk e pret një të tillë pas faljes së FIFA-s që do të shkaktojë shumë polemika sidomos nga klubet e mëdha që e pësuan nga të njëjtat shkelje. /vipsport.al/