Takaj: Nëntë klube humbin deri në 800 mijë euro në vit. UEFA na ka lënë vetëm jetën, ishte pushkatim

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka shfrytëzuar konferencën e prezantimit të Ilir Dajës si trajneri i ri i skuadrës, për të bërë një bilanc të ri të situatës së klubit të tij, por edhe të futbollit shqiptar në përgjithësi. Për Takajn, gjithçka duket e zymtë, edhe pse premton që Skënderbeu do të jetë konkurrues në kampionat dhe do të ketë qëllime për torfe.

Largimi nga Skënderbeu – “Skënderbeun nuk mund ta hidhja në rrugë me një të rënë të lapsit. Në rast se do të ikte Skënderbeu, do të ikja dhe unë. Tifozeria e Skënderbeut është e dashuruar me logon e Skënderbeut, me ngjyrat e Skënderbeut, ashtu si presidenti. Bashkë do ia dalim dhe besoj se sivjet do të jetë rekord në stadium nga tifozët”.

Afrimi i Dajës = “Nuk besoj se rekordit të Dajës do t’i afrohet kush. E morëm për seriozitetin dhe provat që ka dhënë në futbollin shqiptar, edhe me ekipin e Skënderbeut. Ka qenë një bisedë shumë e gjatë, sepse asnjë trajner s’do të ishte komod te Skënderbeu në këtë moment. Edhe kësaj here besoj se do t’ia dalim për ato objektiva që i kemi vënë vetes”.

Skënderbeu i ri – “Ne jemi Skënderbeu i 10 viteve të fundit, me suksese të mëdha. Nuk fitohen kampionatet në studio, por në fushat e lojës. Ne duhet të ecim në rrugën e Skënderbeut të dekadës së fundit, jo të kemi projekt inferiorësh. Duhet të jemi rivalë për kampionatin. Ne mund të zbresim që tani në fushën e lojës me këta lojtarë që kemi dhe të rivalizojmë me të gjithë kundërshtarët. Nuk është titulli objektiv, por nuk do t’i shmangemi rivalitetit për këtë trofe madhor. Duhet të jemi Skënderbeu, që kemi parë vitet e fundit”.

Ndryshimet në skuadër – “Kemi pak eksperiencë dhe shumë të rinj. Me këto probleme që ka kaluar Skënderbeu, çdo ekip tjetër do të ishte dorëzuar. Ne nuk kemi qenë komodë për të ecur në rrugën e viteve të shkuara, kemi patur shumë dilema, sepse nuk ishte dënim, por pushkatim. Vetëm jetën na kanë lënë, racizëm i pastër. Kjo nuk ka të bëjë me dënimet, sepse në asnjë rregullore të UEFA-s, pa asnjë provë, nuk parashikohet një masakër e tillë. Ne e dimë që në një periudhë të tillë nuk mund të bësh merkato shumë cilësore. Skënderbeu do të përballet i denjë me të gjitha skuadrat”.

Zhgënjimi i ekipeve shqiptare në Europë – “Paraqitja e ekipeve shqiptare në Europë ishte pasqyrë e realitetit të futbollit shqiptar se janë financat që e bëjnë futbollin, jo gjë tjetër. Ne mund të flasim sa të duam se kemi strategji sa të duam, por problemi është më parë të shkosh të financat se sa do të paguash, aq do të përfitosh. Të ardhurat merren atje dhe kur të shkosh atje për të marrë ato të ardhura, duhet të jesh gati”.

Financat e klubeve shqiptare – “Nëntë klubet shqiptare janë nga 200 mijë euro, deri në 800 mijë euro humbje në vit. Çfarë financon shteti? Çfarë pjese ka marrë? S’ka politika shtetërore për futbollin, të marrim për shembull Kosovën, se njëri ka shitur shtëpinë, tjetri ka falimentuar, tjetri është në mes të rrugës. Çfarë ka fituar futbolli? Merrini me radhë njerëzit e mëdhenj të financave të shtetit të futen te futbolli, të shohin financat si funksionojnë  këto klube. Paketa që na ka premtuar kryeministri, nëse nuk do të behet edhe sivjet, jua siguroj që futbolli ynë do bëhet futboll lagjesh.

Fillimi i kampionatit – “Kampionati rrezikon dhe për mua të mos fillojë fare, fare të mos fillojë”. /vipsport.al/