Superkupa/ Sytë e tifozëve janë në Stamboll, Liverpuli synon trofeun e radhës në qytetin ku shkroi historinë

Pak muaj më parë, Liverpuli u kurorëzua si kampion i Europës duke mundur në finalen e Ligës së Kampionëve skuadrën e Totenhemit, ndërkohë që Çelsi triumfoi ndaj Arsenalit në Ligën e Europës. Dy skuadrat angleze, sot do të kërkojnë një tjetër trofe në Europë që do të jetë njëkohësisht edhe trofeu i parë sezonal.

Në Stamboll luhet finalja e Superkupës së Europës, aty ku Liverpuli dhe Çelsi do të përballen me njëri-tjetrin, në një ndeshje ku mungesat janë të pranishme në të dyja kampet. Për kampionët e Europës, mungesa e madhe është portieri Alison Beker, ndërkohë që Lampard duhet të bëjë pa Rudiger, Hudson-Odoi dhe Loftus-Çik, të cilët vuajnë nga dëmtime.

“The Reds” kanë kujtime të bukura nga Stambolli duke qenë se në vitin 2005, arritën të fitonin Ligën e Kampionëve përballë Milanit, në një finale që do të mbahet mend gjatë. Megjithëse Liverpuli e pa veten në disavatazhin e 3 golave, në pjesën e dytë bëri një reagim të çmendur duke barazuar dhe më pas duke fituar me anë të penalltive. /Erjon Allaraj-VipSport.al/