Superkupa ndaj Kukësit, Partizani konfirmon datën, orarin dhe çmimet e biletave

Ndeshja e cila do të hapë sezonin futbollistik në Shqipëri do të jetë ajo e të dielës së ardhshme për Superkupën e Shqipërisë, pasi FSHF u ka konfirmuar Partizanit dhe Kukësit se ndeshja në fjalë do të zhvillohet më 18 gusht. Ka qenë klubi i Partizanit i cili nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale ka treguar datën dhe orën e kësaj sfidë, e cila do të luhet në Elbasan, që është fushë asnjanëse për të dy ekipet.

Klubi i kuq njëkohësisht ka bërë publike edhe çmimet e biletave për këtë sfidë, duke ftuar tifozerinë që të merrte pjesë në duelin për një tjetër trofe për kryeqytetasit kundër Kukësit që ka qenë rivali kryesor i edicionit të kaluar.

NJOFTIMI

Kampionët në fuqi do të diskutojnë trofeun e parë të sezonit 2019-2020 ndaj Kukësit. Përballja do të luhet të dielën, datë 18 Gusht, ora 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar sektorët dhe çmimet e biletave për tifozeritë përkatëse.

Biletat në Tribunën VIP do të kushtojnë 1000 Lek

Biletat në Tribunat Qendrore A dhe B do të kushtojnë 600 Lek

Biletat në Tribunat, C, D, E, F, G, do të kushtojnë 300 Lek

Tifozeria e Kuqe do të akomodohet në sektorët e Tribunave A dhe G