Superiorja / Java e dytë luhet të martën dhe në vapë të mërkurën. Nis me duel pretendentësh

Federata Shqiptare e Futbollit ka planifikuar që në këtë fillim të ngjeshur të aktivitetit, të luajë 3 javë brenda 8 ditësh. Kësisoj, pa kaluar mirë ndeshjet e javës së parë, skuadrat do të kthehen përsëri në fushë në mesjavë, për sfidat e javës së dytë, të planifikuara nga FSHF që të luhen të martën dhe të mërkurën.

Të martën gjithçka fillon me një ndeshje shumë interesante mes dy skuadrash me pretendime për të luftuar për titullin, Tiranës dhe Teutës. Bardheblutë presin durrsakët në orën 19:00 në “Selman Stërmasi” me shpresën që të vazhdojnë ecurinë pozitive, ndërsa edhe ekipi i Shkëmbit e sheh këtë një provë të mirë për të testuar formën në këtë fillim sezoni.

Më pas, ndeshjet e tjera luhen të mërkurën dhe në orare të papërshtatshme duke llogaritur që janë ditë pune. Sipas planit të FSHF, tre ndeshje do të zhvillohen në orën 16:00, mjaft e papërshtatshme për shkak të temperaturave të larta si dhe faktit që do të kufizojnë praninë e tifozëve. Në këtë orar luhen sfidat Laçi-Skënderbeu, Bylis-Vllaznia dhe Luftëtari-Partizani, të gjitha në impiante të cilat nuk kanë ndriçim artificial.

Ndërkohë, ndeshjet e kësaj jave mbyllen me duelin në Vlorë, në orën 19:00 mes Flamurtarit vendas dhe Kukësit që ecën me euforinë e fitores në javën e parë ndaj kampionëve në fuqi. /vipsport.al/

E martë, 27.08.2019
Tirana-Teuta 19:00

E mërkurë, 28.08.2019
Laçi-Skënderbeu 16:00
Luftëtari-Partizani 16:00
Bylis-Vllaznia 16:00
Flamurtari-Kukësi 19:00