Sulmuesi i shpresave shkëlqen me Çelsin, dopietë për Armando Brojën

Armando Broja ka shkëlqyer në ndeshjen e parë sezonale të Çelsit për grupmoshat 18-vjeçare. Sulmuesi e shënoi emrin e tij dy herë në listën e golashënuesve duke i dhënë fitoren të tijve në derbin përballë Arsenalit.

Broja shënoi fillimisht në minutën e 12, duke kaluar Çelsin në avantazh, ndërsa në fraksionin e dytë, 12 minuta para se të mbyllej takimi realizoi edhe golin e dytë personal.

Një realizim që vulosi triumfin e londinezëve, edhe pse në fund Arsenali shkurtoi diferencat. Kështu, 17-vjeçari ka shfaqur menjëherë potencialin tij, ndërsa edhe në ndeshjet e fundit të shpresave, teksa u grumbullua nga tekniku Alban Bushi, lojtari ka treguar se e pret një e ardhme e madhe. Sigurisht, ëndrra e Brojës është të luajë me skuadrën e parë, megjithatë sulmuesi ka të gjithë kohën për t’ia dalë hap pas hapi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/