Sulmuesi i Shpresave nuk di të ndalet me 2 gola dhe asist, Broja i bën të gjitha i vetëm

Shqipëria po fiton një sulmues mjaft potent i cili është duke shkëlqyer në akademinë e Çelsit në Angli. Armando Broja, vetëm 17 vjeç dhe që idhull ka Ronaldo Fenomenin, është kthyer në një Fenomen për moshat duke qenë se sot ka shënuar një tjetër dygolësh me skuadrën e të rinjve të Çelsit.

Broja ka qenë protagonist absolut në fitoren që Çelsi mori me rezultatin 4-2 ndaj Uest Hemit, me Brojën që ka arritur të shënojë dy gola, të japë një asist dhe të fitojë një penallti. Sulmuesi shqiptar ka asistuar në golin e parë të takimit, megjithatë Uest Hem ka reaguar mirë duke përmbysur në 1-2.

Në pjesën e dytë, ka qenë Broja ai që ka fituar një penallti dhe e ka kthyer po vetë në gol, ndërkohë Simju ka realizuar golin e tretë për skuadrën e tij. Për të vulosur takimin, ka menduar sërish Broja që në minutën e 64 të takimit, ka realizuar golin e katërt për Çelsin dhe të dytin personal. /Erjon Allaraj-VipSport.al/