Starova teston Laçin e ri në miqësore, Nuabueze konfirmohet një blerje e goditur

Pasi ka lënë pas pjesëmarrjen në Europë, të mbyllur me paraqitje dinjitoze por me eliminimin përballë Hapoel Ber Sheva, Laçi i është kthyer përgatitjeve për sezonin e ri nën drejtimin e Sulejman Starovës. Kurbinasit kanë ambicie të mëdha në këtë sezon dhe duan t’u kthehen trofeve, ndaj trajneri ka kërkuar që të shohë në veprim lojtarët e ekipit të parë, por edhe ata që pretendojnë për një vend në formacion mes rezervave.

Kësisoj, në vend të një miqësoreje me një ekip tjetër, Starova ka vendosur që skuadra e tij sot të ndahej në dy pjesë duke zhvilluar një duel mes ekipit A dhe atij B, në mënyrë që të shihte në kushtet e lojës të gjithë futbollistët në dispozicion. Ndeshja në fjalë është zhvilluar në stadiumin e Laçit, ku dy skuadrat janë përballur me njëra-tjetrën në një sfidë të përfunduar me fitoren 2-1 të ekipit të parë.

Kirian Nuabueze ka treguar përsëri se është një element i cili do t’i bëjë shumë punë skuadrës dhe do të lërë shenjë në futbollin shqiptar. Sulmuesi nigerian me pasaportë amerikane, ka shënuar 2 golat për ekipin A në këtë miqësore, ndërsa Turkaj ishte ai që gjeti rrjetën për ekipin B në këtë duel. /vipsport.al/