Starova: Jemi në krizë pikësh dhe golash, më mungojnë cilësia e eksperienca në skuadër

Laçi pësoi humbjen e dytë radhazi në kampionat, duke u mundur me rezultatin 1-2 nga Skënderbeu. Trajneri Starova, u shpreh se skuadrës së tij i mungon kualiteti dhe eksperienca e kjo ka ndikuar në rezultat dhe krizën e skuadrës.

“Vuajtëm nga mungesa e eksperiencës së disa lojtarëve dhe mungesë kualiteti sepse kishim disa raste për të mbyllur ndeshjen. Skënderbeu me kualitet na përmbysi. E nisëm kampionatin në mënyrën më të keqe sepse jemi në krizë golash dhe pikësh. Në Shkodër kishim mundësi të shënonim dhe të menaxhonim më mirë. Më vjen keq se nuk shfrytëzuam dhe jemi skuadër që kemi punuar e kjo na e rëndon anën psikologjike. Me ndërprerjen e kampionatit jemi më mirë.

Titulli? Ka qenë objektivi maksimal për ekipin dhe e kam thënë për t’i dhënë moral skuadrës. Objektivi ynë tradicional është të marrim pjesë në Kupat e Europës. Ndoshta mund të ketë dalë për keq ajo që thashë, por lojtarët e dinë mirë sepse e kemi diskutuar që e rëndësishme është të marrim ndeshje pas ndeshje. Objektivi i klubit është Europa dhe duhet të bëhemi të barabartë edhe me të fortët.

Ne kishim marrë masa për lojtarë cilësorë si Bregu apo Gripshi. Në momentin kur kundërshtari na përmbysi, po luanim hapur dhe mundoheshim të shfrytëzonim por nuk e bëmë. Skuadrave të reja në eksperiencë u ndodh kjo gjë kurse ato që e kanë eksperiencën, nuk ta falin diçka të tillë”, tha Starova. /VipSport.al/