“Spartaku” shqiptar kërkon të ndryshojë futbollin botëror, Gjasula: Të gjithë të luajnë me helmetë

Një futbollist shqiptar mendon se bota e futbollit duhet të ndryshojë mendimin që ka sa u përket dëmtimeve në kokë dhe ka një propozim që të gjithë të luajnë me helmeta. Nuk është rastësi, pasi vetë ai, Klaus Gjasula, luan me një të tillë. Futbollisti i cili mban helmetë gjithmonë, ka bërë debutimin në Bundesligë me Paderborn me një të tillë dhe mendon se shembullin e tij duhet ta ndjekin të gjithë.

“Luaja me Kikers Ofenbah ndaj Hesen Kasel dhe kundërshtari im më erdhi nga mbrapa dhe aksidentalisht u përplasëm kokë më kokë”, kujton Gjausla për mediat gjermane. Asokohe ai pësoi frakturë në pjesën e poshtme të syrit dhe bëri një helmetë të veçantë për t’u mbrojtur. “Në fillim kisha probleme me shikimin, por pastaj shpejt u mësova dhe ndjehesha mirë për një periudhë kohe. Në sezonin pasardhës e hoqa në ndeshjen e parë. Menjëherë u përplasa me një mesfushor të ekipit tonë. Që nga ai moment, nuk e kam hequr më”, tregon 29-vjeçari i cili për shkak të kësaj helmete ka marrë nofkën “Spartaku” nga shokët e skuadrës.

A i ka sjellë fat? “Po të ishte ashtu nuk do të kisha përfunduar duke debutuar 29-vjeçar në Bundesligë”, tha ai duke qeshur. “Thjesht ajo më bën të ndjej se asgjë nuk mund të më ndodhë”, tregoi Gjasula, vëllai i vogël i Jurgen Gjasulës i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e përfaqësueses shqiptare të futbollit. /vipsport.al/