Skënderbeu zyrtarizon dy firmat e para, përforcim në portë e mbrojtje

Klubi i Skënderbeut pasi ka prezantuar Ilir Dajën si trajnerin e ri, ka filluar me zyrtarizmet e emrave që do të plotësojnë radhët e skuadrës bardhëkuqe për edicionin e ardhshëm. Ashtu siç pritej, kanë firmosur portieri Enea Koliçi dhe mbrojtësi Marvin Turtulli, dy emra për të cilët klubi kishte prej kohësh miratimin e trajnerit Ilir Daja.

Nëse Koliçi ka vendosur të nënshkruajë për vetëm një sezon me korçarët, duket se klubi ka plane afatgjata me Turtullin, i cili ka firmosur për tre vite dhe i shtohet një numri të madh lojtarësh të rinj që kanë kontrata afatgjata me korçarët.

NJOFTIMI

Pas akordit paraprak, klubi ka nënshkruar sot me 2 lojtarë. Gardiani Enea Koliçi dhe mbrojtësi Marvin Turtulli prej sot janë zyrtarisht lojtarë të Skënderbeut.

Enea Koliçi ka nënshkruar me presidentin Ardjan Takaj kontratën që e lidh me klubin bardhekuq për një sezon. 33-vjeçari do të mbajë në shpinë numrin 1.

Prapavijën e plotëson Marvin Turtulli. 24-vjeçari ka nënshkruar kontratën që e lidh me KF Skënderbeu për 3 sezone. Ish lojtari i Dinamos, Teutës, Kukësit dhe Tiranës shihet si një përforcim mjaft i rëndësishëm për të ardhmen./vipsport.al/