Skënderbeu hedh në treg abonetë sezonale për tifozerinë, korçarët publikojnë çmimet

Skënderbeu është duke përgatitur sezonin e ri të Kategorisë Superiore. Korçarët kanë lënë pas zërat të cilat e mendonin skuadrën jashtë kampionatit, ndërsa tashmë pas vendimit të CAS, klubi bardhekuq shpreson të gjejë drejtësinë në Gjykatën Federale të Zvicrës.

Ndërkohë, deri atëherë është një kampionat për t’u luajtur. Klubi ka hedhur në treg abonetë sezonale për tifozerinë, ndërsa ka nevojën e tifozerisë për të kaluar një sezon të vështirë. Ndërkaq, janë publikuar edhe çmimet për sektorët përkatës të stadiumit, të cilat këtë sezon janë me çmim të reduktuar. Abonetë do të vlejnë për të gjitha ndeshjet e Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë.

Kështu, një abonim sezonal në tribunën VIP do të kushtojë 50.000 lekë të rinj. Tribuna GOLD, 20.000 lekë. Tribuna A dhe B, 6.500 lekë. Tribuna C, 5.000 lekë dhe tribuna D dhe E 2.000 lekë të rinj. Tashmë, i mbetet tifozëve korçarë t’i përgjigjen ftesës dhe të mbështesin nga afër skuadrën e zemrës. /Egi Çabeli-VipSport.al/