Shulku: Ekipet janë gati për Superioren por cilësia mbetet për t’u parë

Kriza financiare që ka mbërthyer klubet shqiptare ka bërë që disa prej tyre të mos kenë filluar në kushte normale stërvitjen për sezonin e ri. Kur mbeten 10 ditë nga fillimi i kampionatit, Flamurtari nuk ka zhvilluar ende stërvitjen e parë, ndërsa Luftëtari është kthyer në kantier ndërtimi pasi po teston vetëm të rinj, meqë emrat me eksperiencë e kanë refuzuar rregullisht. Por për sekretarin e përgjithshëm të FSHF, Ilir Shulku, situata nuk është edhe aq alarmante.

“Nga kontaktet që ne kemi, ndoshta ekipet nuk janë formatuar që të jenë kolauduar plotësisht me elementë cilësore në ekip, por ata kanë filluar stërvitjen, kanë filluar fazën përgatitore dhe mendoj që janë gati. Pastaj se sa do të jetë cilësia që ato do të shprehin në fushën e lojës në bazë të lojtarëve që kanë marrë për të përforcuar ekipin, kjo ngelet për t’u parë”, tha ai për RTSH.

Por si është e mundur që klube me kaq shumë borxhe e detyrime u lejuan që të licencoheshin dhe të merrnin pjesë në sezonin e ri. Sipas Shulkut, e vetmja pengesë reale ishte ajo e detyrimeve ndaj Tatimeve dhe klubet kanë gjetur akordet.

“Ekipet e Superiores, përderisa nga Komisioni i Licencimit e morën licencën, do të thotë që i kanë kaluar të gjitha hapat përveç një pikë që ka qenë diskutimi dhe shtyrja e licencimit të disa klubeve. Ishte problemi me Tatimet dhe kjo është rënë dakord dhe është firmosur me Tatimet, ndaj të gjitha pikat që ka Sektori i Licencimit për të licencuar një skuadër janë të mbyllura”, tha ai.

Ndërkaq, po sipas Sekretarit të FSHF, do të zgjidhet një problem i madh siç është ai i monitorimit të stadiumeve, duke premtuar vendosjen e kamerave në të gjitha impiantet, deri në ato të Kategorisë së Dytë e futbollit amator.

“Kategoria Superiore sot është e gjitha e pajisur me kamera. I njëjti proces do të vazhdojë dhe në Kategorinë e Parë dhe do të zbresë në Kategorinë e Dytë. Një nga pikat kryesore që kemi patur shpeshherë me policinë është problemi i kamerave në stadiume që është kërkuar edhe nga ata e kemi pasur debate. Kjo pikë e rëndësishme do të mbyllet. Duke filluar nga ky sezon, duke filluar nga Superiorja për të zbritur deri te amatorët, do të ndihmojë shumë mbarëvajtjen e garës dhe evidentimin  e elementëve që mund të bëjnë gjeste antisportive ne stadiume”, deklaroi Shulku. /vipsport.al/