Shqipëria U19 e mbyll me humbje të thellë turneun në Zagreb, del e 6-a në 8 pjesëmarrës

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit U19, e ka mbyllur me një humbje të thellë pjesëmarrjen e saj në turneun ndërkombëtar në Zagreb. Kuqezinjtë e Nevil Dedes, pasi kishin zhvilluar ndeshje të mira në grupe përballë Real Madrid, Dinamo Zagreb e Olimpija Ljubljanës, për më tepër duke mundur këtë të fundit, kanë mbyllur me disfatë 4-0 aktivitetin duke u renditur në vendin e 6 mes 8 ekipeve pjesëmarrëse.

Në ndeshjen e sotme kundër Kroacisë U19, ku do të përcaktohej edhe kush do të renditej në vendet 5-6, Dede kishte bërë ndryshime të mëdha në rreshtimin skuadrës. Shqipëria u paraqit me këtë rreshtim: Malaj, Lucaj, Selishta, Beqja, Rapaj,Ibrahimi, Muçi, Nurja, Shabani, Shimaj, Bernaca.

Duket lodhja kishte bërë të vetën pasi kuqezinjtë u shfaqën pa shumë ide në ndeshjen e luajtur në mëngjesin e sotëm dhe këtë e tregon qartësisht fakti që bënë shumë gabime në prapavijë dhe u mundën me rezultat të pastër në ndeshjen e fundit të turneut i cili u fitua nga ekipi i të rinjve të Fejenordit. /vipsport.al/