Shqipëria e femrave zbret në fushë për kualifikueset, dy futbollistet e Kombëtares: Të përsërisim suksesin e djemve

Kombëtarja e Shqipërisë së femrave ka nisur përgatitjet për ndeshjen e parë kualifikuese të Euro 2021, atë kundër Finlandës në stadiumin e Elbasan Arena.  Ndeshja do të zhvillohet më datë 2 shtator në orën 17:00.

Në konferencën për shtyp dy futbollistet e Shqipërisë, Albina Rrahmani dhe Kristina Maksuti. Dy futbollistet u shfaqën optimiste para përballjes së të hënës teksa kërkojnë dhe besojnë se mund të marrin një rezultat pozitiv, ndërsa Maksuti u shpreh se kërkon të përsërisë suksesin e djemve të cilët ia dolën të kualifikohen në Euro 2016.

Albina Rrahmani: “Si gjithmonë, kushdo qoftë ekipi kundërshtar, edhe duke qenë ndër më të mirët në botë siç është Finlanda, futemi në fushën e lojës për rezultat pozitiv. Kundërshtari? Nuk kemi pas mundësi më u ndesh më parë me ta, por kemi filluar të shikojmë video të tyre për të kuptuar sesi luajnë. Ne kemi dëshirë ti marrim ndeshjet hap pas hapi, të kalojmë një ndeshje me sukses dhe pastaj të shikojmë tjetrën. Do zbresim në fushë gjithmonë për diçka pozitive, për diçka më shumë se herën e kaluar. Unë shpresoj dhe besoj se kjo nuk ka për të qenë vetëm fushata kualifikuese e radhës për ne, ka për të qenë diçka më shumë. Përfitoj nga kjo konferencë për ti bërë thirrje tifozëve, është gjithçka më e lehtë kur i ke nëpër tribuna tifozët sepse na japim më shumë forcë”.

Kristina Maksuti: “Duke parë kualifikimin për në fazën e 32 më të mirave për Vllazninë dhe Mitrovicën, ku shumë vajza janë pjesë e Kombëtares, kemi parë që vajzat kanë bërë një hap më lart, janë të përgatitura mirë. Unë shpresoj që ta shfrytëzojmë këtë moment të mirë dhe formën e tyre ideale që ta kthejmë në avantazh për skuadrën Kombëtare, dhe pse jo të kualifikohemi si djemtë që e arritën disa vite më herët. Dua ti ftoj tifozët në stadium, të shohin ekipin Kombëtar dhe ne do të bëjmë një lojë të mirë për ti kënaqur”.