Shkëmbim i papritur Inter-Roma, Ikardi tani i prish punë Elseid Hysajt

Situata e sulmuesve të pakënaqur në Serinë A mund të zgjidhet me një shkëmbim shumë të papritur mes Mauro Ikardit dhe Edin Xhekos. Sipas “SportItalia”, Interi dhe Roma kanë filluar bisedimet për të bërë të mundur lëvizjen në krahun e kundërt të dy sulmuesve të cilët nuk janë të kënaqur me situatat aktuale.

Xheko kërkon Interin, por Roma nuk heq dorë nga ai pa gjetur një zëvendësues të mirë. Në skenë ka dalë emri i Ikardit dhe Roma është treguar menjëherë e gatshme të firmosë me argjentinasin për ta bërë liderin e ri të skuadrës. Sipas të njëjtave burime, verdhekuqtë janë gati të shtojnë edhe 40-50 milionë euro në arkat e Interit për të realizuar këtë transferim.

Nëse ai do të bëhej realitet, ky do të ishte një lajm i keq për Elseid Hysajn. Lojtari ishte piketuar nga klubi verdhekuq i cili ishte gati ta bënte atë pjesë të shkëmbimit me Napolin për Xhekon, pasi nuk do të shpenzojë për futbollistin shqiptar. Por nëse vendin e tij në shkëmbim e zë Ikardi, atëherë Hysaj mund ta shohë veten në situatën e pakëndshme të qëndrimit te Napoli, të cilit praktikisht i kishte dhënë lamtumirën në fillim të verës. /vipsport.al/