Shkëmbi: Nuk e kuptova pse u anulua goli, se mund ta pësonim. Këtë vit të paktën mes 3 më të mirëve

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, e sheh ndeshjen e sotme si një hap të parë shumë pozitiv për këtë sezon. Tekniku i durrsakëve theksoi për SuperSport se ishte rezultat i merituar, por priste që ekipi të kishte rritje për të bërë më mirë se vitin e kaluar.

“Është e vërtetë se nga eksperienca e vjetshme rezultati 1-0 nuk siguron asgjë, më pëlqeu loja që zhvilluam, patëm raste për të dyfishuar, duhej ta kishim dyfishuar. Vecaj me Kallakun duhej të ishin altruistë, por jam i kënaqur si ndeshja e parë që ishte.

Unë nuk i shoh lojtarët nga mosha, sa vjeç janë, ata i shoh në stërvitje. I kemi afruar me dëshirë dhe kemi besim. Kallaku është diçka ndryshe, Vecaj dhe Vila janë të rinj, jam i kënaqur dhe kam besim se do të vazhdojnë të luajnë mirë dhe të bëhen të rëndësishëm në ekip.

Nuk pata kontakte, respekt për Hidin dhe ish lojtarët që kanë qenë këtu. Sa i përket golit të pësuar, e përjetova pak keq, se zakonisht nga eksperienca kur anulohet goli edhe e pëson. Për fat të mirë nuk ndodhi kështu. Nuk kuptova pse u anulua por janë vendime të tyre.

Khalid presim të vijë të hënën në stërvitje, por merkaton mund ta quajmë të mbyllur. Janë 4-5 skuadra që pretendojnë për zonën lart. Ne synojmë të jemi në tre vendet e para, të mos biem nga ajo që arritëm vjet. Duke luajtur ndeshje të mira e duke marrë pikë, nëse vjen momenti i vjetshëm ku ishim afër vendit të parë, të mos bëjmë gabime dhe të luftojmë deri në fund “, tha Shkëmbi. /vipsport.al/