Shkëmbi kundër shtyrjes së kampionatit: Mendoj se niveli po rritet vit pas viti

Kategoria Superiore nuk dihet ende se kur do të fillojë, pasi kaosi që ka përfshirë klubet shqiptare rrezikon seriozisht shtyrjen e saj. Por për trajnerin e Teutës, Bledi Shkëmbi, gjëja më logjike që duhet të bëjë Federata është që të nisë kampionatin në datën e paracaktuar, 24 gusht, pasi përndryshe penalizonte skuadrat që kanë bërë çdo gjë siç duhet.

“Për ne është normale që kampionati të fillojë në datën që është vendosur se kemi bërë përgatitjet, e kemi bërë programin për këtë datë. Por nuk varet nga ne, nuk është në dorën tonë dhe jemi të detyruar të fillojmë në atë datë që na cakton federata” tha Shkëmbi për RTSH.

Por si do të jetë ky sezon i ri me skuadra që përballen me probleme të tilla? Shkëmbi i sheh gjërat ndryshe nga thuajse i gjithë opinioni i përgjithshëm.

“Mendoj që edhe këtë vit do të jetë një kampionat i fortë, mendoj që në futboll vit pas viti niveli vjen duke u rritur e duke u bërë më e vështirë. Mendoj që këtë vit do të ketë ekipe edhe më të mira e të forta që do të luajnë më fort futboll. Për mendimin tim, ndryshe nga sa mendojnë të tjerët, çdo vit niveli vjen e përmirësohet”, tha Shkëmbi. /vipsport.al/