Shënoi 3 gola në Europë, Ekuban: Përmbysje spektakolare, e këndshme të shohësh tre herë topin në rrjetë

Trabzonspori arriti të merrte një fitore të rëndësishme në Ligën e Europës, duke mundur me rezultatin 1-3 grekët e AEK-ut. Heroi i këtij takimi, ishte ish-sulmuesi i Partizanit, Kaleb Ekuban i cili arriti të shënonte 3 gola për skuadrën e tij.

Sulmuesi 25-vjeçar foli për mediat turke në përfundim të ndeshjes duke e cilësuar një rezultat të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit, ndërkohë që pranoi se ishte e këndshme të shënonte 3 gola në një ndeshje të tillë.

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne për të kaluar turin. Ishte një përmbysje spektakolare dhe morëm një rezultat të mirë. Duam të kalojmë turin në ndeshjen e dytë. Gjëja më e rëndësishme ishte që të përmbysnim rezultatin dhe ne arritëm ta bënim. Për mua ishte e këndshme të shihja topin duke hyrë në portë 3 herë pasi ku unë luaj, e rëndësishme është të shënosh gola”, u shpreh Ekuban. /Erjon Allaraj-VipSport.al/