Selahi dhe Zeka, dy kuqezinjtë luajnë dhe bindin në kampionatin holandez

Kampionati holandez i futbollit ndoshta nuk është ndër më të ndjekurit në vendin tonë, por është padyshim një prej më cilësorëve në futbollin europian duke nxjerrë e afirmuar çdo vit talente të mëdhenj. Ndaj të luash rregullisht që në moshë të re në një kampionat të tillë është zakonisht shenjë se ke një të ardhme të ndritur përpara.

Kështu mund të thuhet për Lindon Selahin dhe Agim Zekën, dy emra të cilët po gjejnë hapësira të rëndësishme në radhët e skuadrave përkatëse në kampionatin holandez të futbollit.

Selahi është transferuar ne verë në radhët e Tuente, por që tani ka fituar mundësinë për të luajtur rregullisht në radhët e këtij klubi, duke qenë titullar si në barazimi 1-1 ndaj PSV, ashtu edhe në fitoren 3-1 ndaj Groningen. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm për mesfushorin e përfaqësueses Shpresa i cili po afirmohet në nivele të larta si një lojtar më shumë perspektivë.

Edhe Agim Zeka është në të njëjtën rrugë, duke qenë tashmë në vitin e tij të dytë në Holandë, te Fortuna Sitard. Fillimisht skuadra e Lilës që zotëron kartonin e tij mendoi ta huazonte në një kampionat tjetër, por holandezët insistuan që të mbanin fantazistin shqiptar. Ai nuk është ende titullar, por në dy ndeshjet e para të kampionatit i është dhënë mundësia të hyjë në fushën e lojës si zëvendësues, për të treguar vlerat e tij në një kampionat shumë prestigjioz.

Të dy lojtarët pritet të jenë pjesë e grumbullimeve të përfaqësueses Shpresa në muajt e ardhshëm, por nuk shtë çudi që të jenë edhe nën monitorimin e  Edi Rejas, i cili ka bërë të qartë se do të ndjekë çdo futbollist që luan në kampionatet elitare. Ai i Holandës është padyshim i tillë. /vipsport.al/