Sadedini: Më vjen keq për djemtë që humbën kështu. Shumë shpejt të mendojmë për mbijetesën

Trajneri i Flamurtarit, Dritan Sadedini, beson se Flamurtari me kalimin e kohës do të shfaqet më mirë e sigurojë pikët që i nevojiten duke përmirësuar paraqitjet. Në “SuperSport” ai deklaroi se mbetej gjithsesi i zhgënjyer nga mënyra se si u humb ndeshja e sotme përballë Skënderbeut në minutat shtesë.

“Më shumë se i zhgënjyer, jam i mërzitur. Më vjen keq për çunat që humbën në këtë mënyrë. Ne kemi 10 ditë të mbledhur, kemi bërë apo jo përgatitjet e duhura, mendoj se djemtë dhanë më të mirën në fushë. Siç e pamë gjatë ndeshjes, u përpoqëm të bënim lojën tonë, kishim raste, mund të shënonim, por në futboll duhet me raste edhe fati, shpresoj që avash-avash të ecim para. Mendoj se ky ekip në të ardhmen do të bëjë paraqitje më dinjitoze.

Ne do të përpiqemi të vazhdojmë punën tonë, dita-ditës do të përpiqemi të rritemi edhe pse e dimë që ndeshjet janë të ngjeshura. Vazhdimësi Flamurtari patjetër që do të ketë, në futboll nuk tërhiqesh kurrë, me mundësitë e vështirësitë tona, do të mundohemi të ecim para gjithmonë.

Jemi shpejt të mendojmë për mbijetesën, vërtetë mund të jenë gjërat e vështira, por ne do të përpiqemi të punojmë. Objektivat nuk janë shumë të qartë në kuptimin që siç e shihni po vijnë edhe futbollistë dhe do të kërkojmë që Flamurtari të pozicionohet në vendin e tij”, tha Sadedini. /vipsport.al/