Rregullorja / Tirana rrezikon derbin pa tifozë, fajin e kanë ultrasit e bardhebluve (VIDEO)

Tirana rrezikon seriozisht të luajë pa praninë e tifozëve ndeshjen derbi të javës së 6 të Superiores dhe shkak për këtë bëhen përsëri tifozët e skuadrës bardheblu. Këta të fundit, sot kanë bërë vendime të dënueshme duke goditur si gjyqtarin anësor, ashtu edhe futbollistët e Teutës me shishe uji, veprime të cilët në teori mund të ndëshkohen rëndë nga Komisioni i Disiplinës.

Në minutat e fundit të ndeshjes, vijërojtësi Egin Doda u kthye në objekt gjuajtjesh me shishe nga tifozeria e Tiranës, me asistentin e Eldorjan Hamitit i cili u detyrua të largohej e të hynte me shpejtësi në fushën e lojës. Një rast i cili detyroi gjyqtarin që të ndërpriste ndeshjen dhe të vendoste rregullin në stadium, duke detyruar Ilion Likën që të shkonte poshtë tribunës, apo edhe Albi Dokën të shoqëronte personalisht aty vijërojtësin.

E njëjta skenë u përsërit pak çaste më vonë në një goditje nga këndi të Teutës, ku këtë radhë futbollisti i durrsakëve u mbulua nga një breshëri shishesh uji,. Edhe në këtë rast kishte ndërprerje të ndeshjes nga gjyqtari Hamiti derisa u vendos rendi dhe u qetësua situata.

Sipas rregullores së miratuar nga FSHF në Asamblenë e fundit, në teori Tirana rrezikon të dënohet nga 4 në 6 ndeshje  pa praninë e tifozëve. Pika 4 b e nenit 66 të rregullores shpjegon se “rastet e verifikimit të sjelljeve të përshkruara në paragrafin 3, që shkaktojnë akte të dhunës ose ndërprerje të përkohshme të lojës, sanksionohen me zhvillimin e jo më pak se 4 (katër) ndeshje pa spektatorë”. Pika 4 c, e bën këtë dënim edhe më të rëndë. “Rastet e verifikimit të sjelljeve të përshkruara në paragrafin 3, që shkaktojnë akte të dhunës ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, sanksionohen  me zhvillimin të jo më pak se 6 (gjashtë) ndeshjeve pa spektatorë”, shkruhet në këtë rregullore.

Gjithçka do të varet nga interpretimi që do i bëjë Komisioni i Disiplinës, pasi ky i fundit mund të mbyllë sytë e ta cilësojë këtë si rast “pa akte dhune e ndërprerje ndeshje”, duke i vendosur vetëm një gjobë Tiranës. Kujtojmë se ndeshjet e radhës të Tiranës në fushën e saj janë ato ndaj Skënderbeut në javën e katërt dhe derbi ndaj Partizanit në javën e 6 dhe nëse do të jepej dënim me pezullim, minimalisht këto dy sfida do të zhvilloheshin pa praninë e spektatorëve në tribuna. /vipsport.al/