Roma kërkon partnerin e Xhekos, merr miratimin nga ish-futbollisti i Milanit

Klubi i Romës, pasi arriti marrëveshjen për të zgjatur kontratën me sulmuesin Edin Xheko, tashmë ka nxjerrë në merkato Patrik Shik. Çeku nuk ka bindur dhe do të largohet, ndërsa trajneri Fonseka ka zbardhur dëshirat për sulmuesin i cili do të rivalizojë me Xhekon për një vend titullari apo edhe të krijojë partneritet me boshnjakun në majën e ofensivës.

Sytë janë nga Mariano Diaz i Realit, mirëpo në orët e fundit ka marrë gjithnjë e më shumë jetë vendimi për të transferuar në ‘Olimpico’, Nikola Kaliniç. Kroati është pjesë e Atletiko Madrid, por mbetet jashtë planeve të teknikut Diego Simeone. Sulmuesi është i hapur për një rikthim në Itali, teksa më parë ka qenë pjesë e Fiorentinës dhe Milanit.

31-vjeçari, duke parë se në horizont është Euro 2020, kërkon të luajë shanset e tij për një grumbullim me Kombëtaren e Kroacisë dhe te Roma do të gjente më shumë hapësira. I vetmi ngërç është se verdhekuqtë kërkojnë huazimin me të drejtë blerje në fundin e sezonit, ndërkohë Atletiko kërkon detyrimin e blerjes. Megjithatë, dy klubet mbeten në bisedime dhe pritet të gjejnë gjuhën e përbashkët.

/Egi Çabeli-VipSport.al/