Rivaldo i jep dritën jeshile Nejmarit: Kalimi te Real Madrid nuk quhet tradhti, ja arsyeja

Real Madrid dhe Barcelona po kërkojnë t forcohen në këtë merkato me një yll të futbollit botëror, siç është Nejmar. Sulmuesi brazilian ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u larguar nga Parisi dhe dy skuadrat spanjolle janë vënë pas tij.

Barcelona kërkon ta rikthejë, ndërkohë që Reali synon të forcohet me një futbollist që e kishte objektiv që para se të firmoste me Barcelonën. Sakaq, në lidhje me këtë çështje ka folur edhe legjenda braziliane, Rivaldo i cili shprehet se kalimi i tij në Madrid, nuk do të konsiderohej tradhti.

“Nejmar te Reali? Nuk e shoh si një tradhti duke qenë se ai fillimisht shkoi te PSG-ja dhe tani ka mundësi të shkojë te Reali. Nuk u transferua direkt nga Barcelona te Reali, duke përforcuar një rival direkt. Nëse do të ndodhte kjo, do të konsiderohej tradhti por në këto kushte jo”, u shpreh Rivaldo. /Erjon Allaraj-VipSport.al/