Rasti i çuditshëm i Laçit, pretendentja e masakruar nga kalendari i FSHF-së

Kategoria Superiore ka përjetuar një kalendar të ngjeshur në fillimin e saj, me skuadrat e detyruara të luajnë 3 herë brenda pak më shumë se një jave në këtë periudhë kur temperaturat kanë qenë shumë të larta. Kush ka qenë pa fat në ndarjen e kalendarit, është detyruar të luajë në orar të papërshtatshëm dreke, orën 16:00, ku sigurisht lojtarët nuk mund të shprehin më të mirën e tyre.

Skuadra më e penalizuar në këtë aspekt ka qenë padyshim Laçi, që në tre këto javë të para është e vetmja e planifikuar në fushën e lojës vetëm në drekë, edhe pse 2 nga ndeshjet ishin në transfertë. Kurbinasit ishin ata që luajtën të shtunën e kaluar në orën 16:00 ndeshjen ndaj Vllaznisë në Shkodër, ndërsa këtë të mërkurën, në të njëjtën orë luajtën në fushën e tyre përballë Skënderbeut.

Tani, në javën e tretë, Laçi e sheh përsëri veten në orën 16:00 teksa zbret në fushë, për më tepër në një sfidë që është shumë delikate për skuadrën e Starovës, ndaj Kukësit. Një penalizim i ndjeshëm për ekipin që ka shpenzuar shumë energji në dy ndeshjet e mëparshme duke ulur ritmin në pjesën e dytë, situatë e cila mund të përsëritet edhe këtë të diel në vapën në të cilën parashikohet të luajnë dy ekipet. /vipsport.al/