Rashford çmend serbët: Skandal në Premier Ligë, u bë si Shaqiri para syve të Matiç

Mançester Junajtid e ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shkatërruar Çelsin me rezultatin 4-0. Markus Rashford ishte vendimtar duke realizuar dy gola ku njërin prej tyre, e festoi duke formuar simbolin e shqiponjës me duar, simbol ky që nuk ka kaluar poa u vënë re në Serbi.

Gazeta më e madhe serbe, “Kurir” e ka konsideruar këtë festim një skandal, duke e krahasuar me festimin e Xherdan Shaqirit në Botërorin e Rusisë, aty ku në ndeshjen ndaj Serbisë, u festua me shqiponjë si nga Shaqiri ashtu edhe nga Xhaka. “Kurir” shton se ky festim skandaloz, u bë para syve të shokut të skuadrës, Nemanja Matiç për të cilin ishte një provokim i hapur.

Mediat serbe shtojnë se festimi në Botëror e ka bërë të famshëm këtë simbol ndërkohë që shtron edhe një pyetje: “si mund të ketë reaguar Matiç kur e ka parë këtë festim”. Në fakt, përveç dilemave dhe shqetësimit që serbët kanë me simbolin e shqiponjës, mbetet ende e paqartë arsyeja që e ka shtyrë Rashfordin të festojë në këtë mënyrë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/