Rama: Dy ndeshje me Kukësin në vapën e verës nuk janë të dëshirueshme, skuadra është gati

Pas hedhjes së shortit për edicionin 2019-2020 të Kategorisë Superiore, drejtori i Partizanit, Olsi Rama është shprehur për mediat se tashmë janë dy ndeshje për t’u menduar me Kukësin. Kjo pasi dy skuadrat përballen më datë 18 gusht për llogari të Superkupës, ndërkohë që shtoi se në vapën e gushtit  të tilla përballje nuk janë aspak të dëshirueshme. Megjithatë, Rama theksoi se skuadra është gati.

Kukësi në javën e parë? “Nisim më datë 18 me Superkupën, dy ndeshje me të njëjtin ekip, sidomos në vapën e verës nuk janë asnjëherë të dëshiruara, por ky është kampionati. Ky është shorti. Ne do të bëjmë ndeshjet tona. Kemi dy ndeshje jashtë fushe dhe shikoj ndeshjen e fundit i bie në Korçë.

Merkato? Skuadra është gati, kemi shumë elementë. Kemi forcuar ekipin aty ku ka pasur vështirësi. Besoj se stafi teknik po bën një përgatitje specifike, pasi vet Kupat e Europës, nuk të lejojnë të bësh një fazë përgatitore siç janë tamam për të marrë ngarkesën e duhur, për arsye se duhet të jesh në formë për ndeshjet. Tani është kohë  e shkurtër për të bërë një mini stage që lojtarët të kenë mundësi për të qenë në freskinë e duhur për kampionatin.

Kupat e Europës ndihmojnë sepse janë ndeshje të forta, që tregojnë mangësitë edhe forcën e skuadrës, por nuk të ndihmojnë shumë për të programuar një kampionat sepse fazën përgatitore nuk e bën me komoditetin e një ekipi që do përgatitet për një kampionat të gjatë. Megjithatë, e kemi pasur parasysh që në fillim dhe kemi bërë një përgatitje specifike që mundësisht të mos i ngarkojmë shumë lojtarët për ndeshjet e Kupave, por të kemi mundësinë që të bëjmë edhe këto dy javë”, tha Rama.