Qëndroi një vit pa luajtur futboll, por Liverpuli i rinovon kontratën mesfushorit

Klubi i Liverpulit blindon me një kontratë të re afatgjatë Aleks Oksleid-Çambërlein. Mesfushori i cili kaloi në radhët e skuadrës së Klop në vitin 2017 nga Arsenalit, ka bindur drejtuesit se do të jetë një investim i rëndësishëm, edhe pse në fakt me fanellën e këtij ekipi ka luajtur vetëm një sezon, pasi tjetrin e kaloi më shumë i dëmtuar.

Çambërlein u dëmtua në muajin prill të vitit 2018 dhe thuajse për një vit vazhdoi riaftësimin e tij, derisa u kthye në fushë në mbyllje të edicionit të kaluar me të kuqtë. “Jam shumë i entuziazmuar, kjo ka qenë në diskutime prej kohësh ndaj është e këndshme që ta realizojmë dhe të zgjas periudhën e qëndrimit tim këtu. Ndjej sikur kam humbur një vit dhe ashtu ndodhi, ndaj është kënaqësi për mua që të firmos. Kjo më duket si mundësia për të dhënë diçka mbrapsht dhe për të rikuperuar për kohën e humbur”, tha futbollisti.

Edhe Jurgen Klop është i bindur se lojtari do të arrijë të reagojë pas kësaj periudhe të gjatë ku nuk kishte arritur të jepte rendimentin e tij në fushën e lojës. “Kur dëgjova që kishte firmosur rinovimin, ndjesitë e mia ishin njëlloj me atë të shumë tifozëve, absolutisht i kënaqur. Kjo për faktin se ai është një person dhe lojtar i jashtëzakonshëm dhe mendoj se marrëveshja ka kuptim për të dy palët. Askush nga ne nuk kishte dyshime se ai do të reagonte dhe të kthehej ashtu siç bëri. Ta shihje të luante një ndeshje të plotë, ishte një moment pozitiv për të gjithë ne”, tha trajneri gjerman. /vipsport.al/