Prezantohet blerja e re e Milanit: Babai më shtyu të vija këtu, isha me të kur na telefonoi Maldini

Milani ka qenë aktiv në këtë merkato vere duke afruar disa futbollistë, ku kryesisht i është besuar edhe të rinjve. Një nga afrimet e verës, është edhe Leo Duarte i cili ka ardhur nga Flamengo te kuqezinjtë.

Mbrojtësi brazilian pranoi se babai i tij i kishte folur gjithmonë për Milanin dhe Maldinin duke qenë se ky i fundit ishte idhulli i babait të tij. Pikërisht Maldini, ka qenë ai që e ka telefonuar për t’i prezantuar ofertën e Milanit, ofertë kjo e pranuar menjëherë.

“Jam te Milani dhe ndihem shumë i lumtur. Babai im më ka folur gjithmonë për këtë dhe më vjen mirë e jam krenar që ndodhem këtu. Isha për pazar me babanë tim, kur më telefonoi Maldini dhe më tha për Milanin. E pranova menjëherë pasi edhe babai është fans i tij dhe tashmë dua të bëj histori këtu”, u shpreh Duarte. /Erjon Allaraj-VipSport.al/