Pretendentë për titull, Shkëmbi: Nuk jam i kënaqur, mezi po e presim një lojtar goli

Teuta e këtij sezoni pritet të jetë një prej skuadrave që do të pretendojnë për titullin kampion. Por trajneri Bledi Shkëmbi nuk është ende i kënaqur me atë që ka parë në fushën e lojës nga ekipi i tij gjatë kësaj faze përgatitore.

“Atë që deshëm e arritëm por në mënyrën e lojës nuk jam i kënaqur pavarësisht se ekipi vjen nga lodhja, jemi në fazë përgatitore e po punojmë dy herë në ditë në temperatura të larta. Sigurisht që do të jetë e vështirë. Starti i kampionatit? Mendoj që kemi ditë, kemi kohë deri për ndeshjen e parë për ta përgatitur. Do të vazhdojmë me ngarkesa fizike por bashkërisht nuk do të lëmë pas dore edhe punën tekniko-taktike. Javën tjetër do të bëjmë ulje të ngarkesave dhe shpresoj që skuadra në ndeshjet miqësore të jetë në formën më të mirë”, shpjegoi ai për RTSH.

Megjithatë, ekipi vazhdon të vuajë disi para portës dhe Shkëmbi nuk e fsheh që do të priste krahëhapur një sulmues goli. “Unë kam besim te sulmuesit e gjithë ekipi por nëse na afrohet një futbollist që ne do të na shërbejë, patjetër që mezi e presim. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme miqësore që kemi planifikuar të jenë edhe lojtarët që na ishin dëmtuar që të jetë edhe ekipi më i plotë për të parë skuadrën e kompletuar”, deklaroi ai. /vipsport.al/