Presidenti i Shkëndijës merr situatën në dorë, Destani: Po më zhgënjeni mua dhe tifozët

Shkëndija e Tetovës synonte këtë sezon që të kalonte në grupet e Ligës së Europës, megjithatë, kuqezinjtë zhgënjyen jo pak duke u eliminuar në Champions nga Nome Kalju dhe në Ligën e Europës nga Dudelanzh. Sakaq, edhe kampionati ka nisur keq për kuqezinjtë që ende nuk e kanë provuar shijen e fitores dhe e shohin veten tashmë në fundin e tabelës pas 3 javësh kampionat.

Kjo situatë ka shqetësuar edhe presidentin Lazim Destani i cili ditën e sotme ka dalë në një komunikatë për shtyp dhe ka folur në lidhje me këtë çështje te Shkëndija e Tetovës. Destani u shpreh se ndihet i zhgënjyer nga skuadra, duke shtuar se ka ngritur një grup pune i cili do të shqyrtojë situatën dhe më pas do të marrin masa për të çuar Shkëndijën aty ku e meriton.

“Të nderuar sportdashës, tifozë dhe dashamirës të KF Shkëndija.

Me këtë paraqitje timen në këtë fillim kampionati, dua ta shpreh pakënaqësinë time lidhur me nivelin e paraqitjes dhe rezultatet e dobëta të Shkëndijës të cilat po shënojnë një rënie dëshpëruese që s’duhet lejuar të vazhdojë më tej.

Gjatë kësaj vere, ne nuk po e shikojmë atë Shkëndijë që u mësuam ta shohim tash e sa vite. Skuadra në vend që të avancojë me sukseset e saja, në ndeshjet europiane ndodhi e kundërta, Shkëndija nuk i solli rezultatet që në mënyrë të arsyeshme i prisnin tifozët e kuqezinjve.

Pas eliminimit në kompeticionet europiane, Shkëndija i është kthyer kampionatit të vendit ku tashmë janë zhvilluar tre xhirot e para.

Humbjet e dy ndeshjeve të para dhe mungesa e rezultatit pozitiv në ndeshjen e xhiros së tretë janë tejet zhgënjyese, si për mua e rrethin tim ashtu dhe për tifozët e Shkëndijës e për ‘Ballistët’. Këto rezultate të dobëta paraqesin tregues aparent se këtu diçka nuk po funksionon siç duhet.

I shtyrë nga këto rrethana, dua ta njoftoj opinionin sportdashës se unë tashmë kam ngritur një grup profesional pune i cili menjëherë ka nisur me shqyrtimin e gjendjes në klub për të konstatuar të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet që duhet bërë në të gjithë sektorët e klubit.

Unë pres që brenda disa ditësh ky grup profesional ta përmbyll punën në mënyrë që KF Shkëndija t’i rikthehet formës më të mirë për ta vazhduar garën në kampionatin e vendit ashtu siç duan ta shohin dhe siç e meritojnë të gjithë tifozët dhe dashamirësit e klubit”, u shpreh Destani. /VipSport.al/