Presidenti i Keidi Bares paralajmëron shitje: Nuk fle gjumë duke menduar shpëtimin, kam humbur 200 milionë euro

Malaga gjendet në një situatë të vështirë, ku borxhet e shumta e kanë detyruar kryesinë e klubit që të mendojë për një politikë që mund të shpëtojë klubin. Malagës i duhen të paktën 20 milionë euro fitime, për të normalizuar situatën dhe për të përfituar këtë shifër, i duhet të shesë futbollistë.

Sheiku që ka aksionet e Malagës, Abdullah bin Naser bin Abdullah Al Ahmed Al Thani ka kërkuar nga gazeta prestigjioze “Marca” që të japë një intervistë duke qartësuar gjithçka ndodh në klub. Presidenti u shpreh se Malaga është një familje për të dhe kurrë nuk ka qenë biznes për të fituar para, prandaj vetë ai është i bindur se duke punuar do ta shpëtojë klubin nga kjo situatë.

Sakaq, presidenti ka paralajmëruar edhe shitje futbollistësh dhe më pas, do të ndërtojë një skuadër e cila do të jenë kandidate për një vend në Ligën e Kampionëve.

“Po jap një intervistë për të qartësuar disa gjëra. Malaga është familja ime, gjaku im dhe nuk jam këtu për të fituar para apo për të shitur klubin. Malaga nuk është një lodër për mua dhe megjithëse kam kompani të tjera, po punoj 24 orë për këtë situatë dhe nuk po fle, vetëm që të zgjidh problemet.

Punoj për klubin por edhe për të mirën e futbollistëve. Se jemi në situatë të vështirë, nuk do të thotë të largoj lojtarët pasi për ta dua kushtet më të mira. Nuk do të lejoj që të ketë budallallëqe për lojtarët e mi. Në një javë ose më pak, do të kemi paratë që na duhen dhe besoj se me 2-3 shitje, do të fitojmë 20 milionë euro.

Menaxhimi i keq që ka pasur Malaga ndër vite, më ka bërë që të humbas shumë. Gjithçka që investova më shkoi dëm dhe më shumë se 150 milionë e afro 200 milionë euro më kanë shkuar dëm për shkak të menaxhimit. Në vitin 2013, në ofruan 459 milionë euro për klubin por nuk e shita, sepse është pjesë e imja. Dua të ndërtoj një skuadër që do të ngjitet në La Liga dhe më pas do të luftojë për në Champions”, tha mes të tjerash presidenti. /Erjon Allaraj-VipSport.al/