Portieri i Laçit del hapur: Objektivi klubit është titulli kampion

Portieri i ri i Laçit Dimitri Stazhilla nuk fshihet kur vjen puna për të treguar objektivat e skuadrës për këtë sezon. Ish-gardiani i Kukësit, në një intervistë për Supersport, rrëfen se prej momentit të parë trajneri por edhe presidenti ia kanë bërë të qartë se synimi është titulli kampion. Gjithashtu, gardiani Moldav ka theksuar se ndjehet mirë për rikthimin në Shqipëri.

Ekipi i ri? “Jam i lumtur që rikthehem në Shqipëri dhe që i bashkohem Laçit. Kam vetëm pak ditë këtu, por më mjafton për të kuptuar që kemi një skuadër të mirë, një grup lojtarësh cilësorë. Jam ambientuar menjëherë dhe të gjithë janë treguar të sjellshëm kundrejt meje. Jam munduar të rikujtoj disa fjalë në shqip. Besoj se do bëjmë mirë në këtë sezon do kemi rezultate të pëlqyeshme. Sa herë vjen në një skuadër të re duhet të tregosh më të mirën e mundshme, sepse të gjithë presin nga ty të kesh një performancë pozitive dhe ta ndihmosh ekipin pse jo të fitoj edhe trofe.

Objektivi? Nga dita e parë kur erdha këtu trajneri dhe presidenti ma bënë të qartë se synimi është titulli kampion dhe kjo më duket pozitive. Mendoj se çdo skuadër duhet të ketë një objektiv dhe maksimumi i një objektivi është të fitosh titullin kampion. Pa diskutim që do na duhet të luftojmë për t’u shpallur kampion, por besoj se shanset i kemi”, tha 28-vjeçari.