Pogba i kundërpërgjigjet ofendimeve me karakter racist: Injorancë, më motivojnë dhe më bëjnë të fortë

Pol Pogba ra pre e ofendimeve raciste në rrjetet sociale teksa në javën e kaluar ishte autor i një penalltie të gabuar për Mançester Junajtid. Kaq mjaftoi dhe ofendimet vërshuan lum për mesfushorin, i cili ka zgjedhur të reagojë disa ditë më pas.

Francezi ka postuar një foto me djalin e tij të vogël, teksa pjesë e fotos janë babai i tij i ndjerë dhe Martin Luter King. Pogba ka zgjedhur ta shoqërojë foton me fjalët: “Paraardhësit e mi dhe prindërit e mi vuajtën në mënyrë që brezi im të ishte i lirë në ditët e sotme. Të kishte mundësinë për të shkuar në punë, të merrte autobusin, të luante futboll.

Ofendimet raciste janë injorancë dhe mund të më bëjnë vetëm më të fortë dhe të më motivojnë mua të luftoj për brezin e ardhshëm”, ishin fjalët e Pogba. Ofendimet me karakter racist vazhdojnë të mbeten një problem i madh në botën e futbollit teksa përsëriten shpeshherë, ndërsa tashmë kanë filluar të gjejnë hapësirë edhe në rrjetet sociale. /Egi Çabeli-VipSport.al/