Përsëri nën urdhrat e trajnerit Lerda, Partizani kthehet në stërvitje

Partizani është kthyer sot në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Franko Lerda, duke lënë të kuptohet qartësisht se nuk do të ketë asnjë ndryshim në pankinën e të kuqve, siç mendohej deri para sfidës së kthimit ndaj Sherif Tiraspol. Paraqitja e skuadrës në atë ndeshje të dytë ka bindur drejtuesit se ekipi po ecën në rrugën e duhur sa i përket lojës dhe për këtë arsye kanë vazhduar të qetë punën me teknikun italian në pankinë.

Në stërvitjen e sotme, Lerda ka vijuar punën normalisht me lojtarët, duke zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli brenda grupit për të parë gjendjen e tyre pas ditëve të pushimit që u ishin dhënë pas kthimit nga Moldavia. Ndërkohë, pjesë e seancës stërvitore ka qenë edhe ndihmësi Mehmeti, i cili kishte pasur një përplasje me teknikun italian disa ditë më parë. Ai ka drejtuar një pjesë të përgatitjeve atletike të skuadrës në seancën e sotme.

Partizani do të zhvillojë stërvitjet në Kamëz gjatë këtyre ditëve, ndërsa po programohen edhe ndeshje miqësore për të mbajtur në gjendjen e duhur sportive ekipin deri në datën 18 gusht kur sipas planit të FSHF do të zhvillohet SuperKupa e Shqipërisë. /vipsport.al/