Pas barazimit me Partizanin, Starova: Nuk ka diferenca, jemi 5 skuadra pretendente për titull

Sulejman Starova e ka cilësuar si një test shumë pozitiv atë që ka bërë sot skuadra e Laçit ndaj Partizanit, duke marrë një barazim të rëndësishëm 1-1 për moralin kundër skuadrës së drejtuar nga italiani Lerda. Para mediave Starova theksoi se  ekipi kishte shfaqur lojë pozitive dhe kishte konfirmuar idenë e tij se në këtë sezon ka shumë skuadra që mund të pretendojnë për titull, mes të cilave edhe kurbinasit.

Sa shërbeu miqësorja – “Qëllimi i lojës ishte në radhë të parë që këto miqësore kështu janë, rezultati është në plan të dytë. E rëndësishme është përgjigja që japin lojtarët, jemi në fund të një cikli në ngarkesa të larta të dyja skuadrat, mendoj që si ne, edhe Partizanit i shërbeu miqësorja. Tani kemi hyrë në dy javët e kampionatit, do të fillojë të ulet ngarkesa dhe të presim reagim edhe më të mirë të skuadrës”.

Ecuria e ndeshjes – “Jam i kënaqur me mënyrën e lojës se i kemi vendosur bazat e tilla në Kupat e Europës, si ne dhe Partizani dhe sigurisht me shpresën që kemi që lojtarët do të jenë më të çlodhur se kemi krijuar raste në pjesën e parë. Na shqetëson pak, por besoj se do të rregullojmë duke besuar te kjo punë që ulet ngarkesa e lojtarët janë më të freskët, se kishim disa mundësi për të konkluduar më mirë. Ajo ishte dhuratë që morëm ne në rastin e golit dhe Xhixha e shfrytëzoi. Por në përgjithësi vlejti shumë miqësorja, luajtëm me një skuadër kampione që ka pretendime të dalë prapë kampione dhe ne kemi pretendimet tona. U ballafaquam mire dhe shyqyr na shkoi mirë me merakun që kishim që të mos kishte dëmtime”.

Pretendimet e Laçit në këtë sezon – “Edhe ne jemi pretendente se të drejtën nuk ia heq asnjërit që të thotë të jenë pretendues. Jemi 5 skuadra , nuk shoh diferenca shumë të mëdha në këtë drejtim me këto skuadra si Partizani, Kukësi, Teuta, Tirana e ne.  Skënderbeu është riformatuar, sigurisht edhe ata nuk kanë ngarkesën tonë për objektiva që mund të realizojnë e  janë pak mbrapa me përgatitjet po mund t’i favorizojë duke qenë të qetë psikologjikisht. Pastaj janë skuadra të tjera që po riformatohen dhe ekipe si Bylis, Luftëtari e Flamurtari që kanë pasur probleme. Vllazninë e shoh më përpara se këto tre skuadra se ka pasur kohën e vet dhe me problemet që ka është përpara tyre se më rezulton që nuk kanë filluar stërvitjet siç duhet. Me kalimin e kohës, janë katër faza që do e bëjnë të jetë kampionat përsëri i fortë”. /vipsport.al/