Para Partizanit shënojnë të gjithë sulmuesit, Kukësi fiton miqësoren e parë të epokës Duro

Skuadra e Kukësit ka fituar ndeshjen e parë të saj miqësore nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, në fazën përgatitore që po zhvillon në Ohër të Maqedonisë së Madhe. Kjo ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për trajnerin që të shihte formën e ekipit kur mbeten pak ditë nga ndeshja për SuperKupën e Shqipërisë kundër Partizanit.

Kukësi luajti përballë ekipit të Vëllazënimit të Kërçovës, i cili luan në ligën e dytë të futbollit në Maqedoni por që gjithsesi rezultoi një rival i fortë për kuksianët sidomos në pjesën e parë të ndeshjes që u mbyll 2-1 falë golave të Shkurtajt e Limajt për verilindorët.

Në pjesën e dytë, Kukësi bëri diferencën dhe arriti të shënonte dy herë të tjera me Dakun dhe Çemën, për të vulosur suksesin 4-1 për ekipin e Duros që mori disa përgjigje interesante sidomos nga reparti i sulmit i cili duket se është në formë në këtë moment të sezonit. /vipsport.al/