Paqe mes Laçit dhe Partizanit, Xhixha dhe Çinari vulosin testin

Laçi dhe Partizani u përballen sot në një ndeshje miqësore me aromë Superioreje pasi para njëra-tjetrës ishin dy skuadra të cilat në këtë verë janë kolauduar në Europë.

E sotmja ka qenë një sfidë mjaft interesante pasi si Starova, ashtu edhe Lerda kishin hedhur në fushë rreshtime 3-5-2, duke i dhënë përparësi sulmit. Në fraksionin e parë të lojës Xhixha e Nuabueze shpërdoruan para Hoxhës duke dërguar topin jashtë në raste të pastra shënimi, ndërsa Romero për të kuqtë goditi shtyllën.

Golat erdhën në fraksionin e dytë të ndeshjes, me Xhixhën që gjeti shpejt avantazhin për skuadrën kurbinase. Lerda ndryshoi shumë lojtarë nga grupi i titullarëve dhe gjeti barazim me një prej atyre që kishte hedhur në fushë në fraksionin e dytë të lojës, Çinarin, i cili ktheu në rrjetë me kokë një harkim të Trashit.

Shifrat nuk do të ndryshonin më deri në fund të ndeshjes dhe Laçi e Partizani e mbyllën këtë sfidë në barazim, me trajnerët që kanë marrë secili sinjalet që kërkonin sa i përket gjendjes së lojtarëve kur mbeten pak javë nga fillimi i sezonit të ri.

Laçi-Partizani 1-1
48′ Xhixha / 63′ Çinari

Laçi: Stazhilla, Fangaj, Ignjatoviç, Gjoni, Domgjoni, Deliu, Lushkja, Zaimi, Teko, Xhixha, Nuabueze.
Trajner: S. Starova

Partizani: Hoxha, Belica, Bitri, Boldor, Romero, Telushi, Broja, trashi, Kordeiro, Asani, Bardhi.
Trajner: F. Lerda