Pa trajner por me mbrojtës e sulmues të rinj, Flamurtari bën zyrtarizimet e radhës

Flamurtari vazhdon përforcimet për sezonin e ri, edhe pse më parë duhet të zgjidhë çështjen e trajnerit pas largimit të Gerd Haxhisë si dhe të drejtorit sportiv Artim Pollozhani. Në Vlorë dje zyrtarizuan dy firma të raportit të sulmit, Hoxhajn dhe Sukajn, ndërsa sot e kishte radhën një mbrojtës dhe nëj sulmues.

Fillimisht u bë e ditur se Olsi Gocaj është zyrtarisht pjesë e skuadrës vlonjate. Një njoftim i shkurtër që tregon fillimin e bashkëpunimit me futbollistin. Më pas e kishte radhën Jurgen Vatnikaj, sulmuesi i radhës që i bashkohet atyre të prezantuar dje. Në fakt, sot pasdite pritet që skuadra të dalë në stërvitje por askush nuk di me siguri se si do rrjedhin ngjarjet më tej në klub dhe kush do të drejtojë këtë stërvitje.

Gocaj vjen te Flamurtari pas disa viteve në radhët e Vllaznisë, por ai përfundoi “i padëshiruar” në që kur drejtimin e skuadrës e mori Mirsad Jonuz. Mbrojtësi u la jashtë fazës përgatitore dhe refuzoi të merrej në provë nga trajneri, duke zgjedhur që të qëndronte lojtar i lirë e tashmë ka gjetur edhe destinacionin e radhës në karrierë. Ndërsa Vatnikaj ka mbyllur marrëveshjen me Kastriotin ku luajti në sezonet e fundit.  /vipsport.al/